“Pas errësirës, dritë”
Në 31 Tetor 1517 Martin Luteri nisi atë që do të konsiderohej Reformimi i Kishës, të cilën Zoti e përdori për të nxjerrë edhe njëherë ungjillin në dritë. Dhe reformatorët, si sloganin e tyre përdorën këtë shpehje:
“Post Tenebras Lux – Pas Errësirës, Dritë”.
Këtë 31 Tetor, të vitit 2020 do të doja të ktheheshim edhe njëherë tek kjo shprehje, e cila i ka themelet në Fjalën e Perëndisë – Bibla. Në 31 tetor, në mbar botën festohet Halloween-i.
Halloween është një nga festat që ka marr një vëmendje të jashtzakonshme, sidomos nga të rinjtë dhe adoleshentët. Vetëm në Amerikë, shpenzohen mesatarisht 7.2 miliard dollar në vitë, për festën e Halloween-it. Halloween-i ka fituar shumë popullaritet edhe në Shqipëri si fest dhe tërheq shumë vëmendjen me stilin e festimit që promovon. Në atë ditë (31 Tetor), dominon maskimi me fytyra të frikshme, skelete të vdekurish, shtriga apo vampirë dhe shumica e kostumeve është e krijuar me ngjyra të zeza dhe të errëta.
Lokalet dhe shumë ambiente të tjera mbushen me rrjeta merimange artificiale, lakuriq nate, fantazma fluturues dhe në të gjithë këtë atmosfer mbizotëron ndjenja e frikës dhe dëshira për të frikësuar të tjerët.
Origjina e Halloween-it nuk është shumë e qartë, por kryesisht lidhet me prejardhje pagane nga fiset e vjetra kelte, Samahin. Në 31 tetor këto fise festonin fundin e të korrave dhe fillimin e vitit të tyre të ri. Por ata gjithashtu besonin se në ditën e fundit të vitit shpirtërat e të vdekurve dhe frymëra të këqija zbrisnin në tokë për të sulmuar dhe dëmtuar të gjallët. Për këtë arsye besohet se ata linin ushqim tek dera e shtëpisë për të kënaqur këto frymëra dhe nëse donin të dilnin nga shtëpia, duhet të maskoheshin si të vdekur që mos të njiheshin prej këtyre frymërave.
Mënyra se si festohet festa ditët e sotme, është shumë larg arsyeve dhe mënyrës se si kremtohej në origjinën e vet. Por ajo që nuk ka ndryshuar në këtë histori, është frika që kemi ne si njerëz nga vdekja dhe errësira. Keltët para qindra vjetëve i fshiheshin vdekjes duke vendosur maska, dhe ne njerëzit modern përpiqemi ti fshihemi vdekjes dhe errësirës duke u përpjekur “të shijojmë” jetën.
Njerëzit gjithmonë kanë qënë të frikësuar nga vdekja dhe kjo është për një arsye të fortë: “Sepse paga e mëkatit është vdekja” – Romakëve 3:23.
Njerëzit janë skllav të kësaj frike dhe Halloween-i përforcon idenë dhe ndjesinë e frikës. Prandaj në vend që thjesht të distancohemi nga festa e Halloween-it, le të përqëndrohemi tek ata të rinj dhe njerëz që ne njohim, të cilët janë robër të kësaj frike. Ka një mesazh dhe një shpres të madhe për ta: Jezus Krishti erdhi “…që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.” – Hebrenjëve 2:14-15.
Ky është mesazhi që unë dua të jap në këtë Halloween dhe çdo ditë të jetës sime: “Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe…” (Isaia 9:2) që është drita e botës “derisa jam në botë, unë jam drita e botës” (Gjoni 9:5) dhe kush do që e ndjek Krishtin ”…nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12).
Sepse pas errësirës, kur besojmë te Krishti, vjen drita.