Dita Ndërkombëtare e Vajzës
Në vitin 2011, Kombet e Bashkuara shpallën datën 11 Tetor “Ditën Ndërkombëtare të Vajzës”. Duke qënë se jetojmë në një kontekst të theksuar maskilist, ku gratë dhe sidomos vajzat janë trajtuar si inferiore, ndjej përgjegjësinë të ngre zërin për këtë çështje.
Arsyeja përse po e shkruaj këtë artikull, është për të rritur ndërgjegjësimin tonë për potencialin që kanë vajzat dhe për rolin dhe vendin e tyre në shoqërinë tonë. Jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të botës vajzat nuk e kanë të mundur të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Për shumë vajza në botë, ashtu si edhe në Shqipëri, shkollimi i tyre është i pamundur. Statistikat tregojnë se më shumë se 98 milion[1] vajza adoleshente, nuk ndjekin shkollën për shkak të frikës, pamundësisë për të përballuar shpenzimet e shkollës dhe më shumë akoma për shkak të mentalitetit dhe bindjeve kulturore që i kyçin vajzat brenda mureve të përcaktuara nga kultura ku ato jetojnë.
Michelle Obama, e cila kohët e fundit është shumë aktive për të drejtat e vajzave dhe sidomos për shkollimin e tyre ka thënë: “Kur vajzave u jepen mundësitë që meritojnë, të gjithë ne përfitojmë. Varfëria ulet, ekonomia rritet, dhe fëmijët lindin më të shëndetshëm. Bota rreth nesh bëhet më e mirë.”
Nuk është shumë e vështirë që të shikosh se çfarë ndodh në shoqërinë tonë post-komuniste. Qindra vajza përfundojnë vetëm ciklin 9-vjeçar të edukimit dhe nuk e kanë mundësinë të studiojnë më tej. I kutpoj ato raste kur pamundësia ekonomike, bëhet një barrier e madhe për shumë familje.
Por në shumë raste të tjera, vajzave u hiqet mundësia dhe e drejta për të shkuar në gjimnaz sepse familja ka merak se mos vajza lidhet me ndonjë djal dhe u prish nderin e familjes. Shumë familje i martojnë vajzat e reja, pa mbushur akoma 18 vjeçe, duke u hequr atyre mundësinë e shkollimit dhe ndjekjes së ëndrrave të tyre. Çdo minut, në te gjithë botën, për aq raste sa bëhen të ditura, 23 vajza minorene martohen. Kjo i çon numrat në 12 milion vajza minorene martohen në vit.[2]
Unë nuk e shtroj çështjen vetëm nga pikpamja sociale dhe shoqërore. Bindjet e mia kanë një themel dhe begraund biblik. Dhe në bibël shikojmë se si Jezusi, gjatë jetës së Tij në tokë, i trajtoi vajzat ndryshe nga sa i trajtonte shoqëria e kohës. Ai i vlerësoi ato dhe u dha dinjitetin që u takonte. Ndërkohë që shoqëria e kohës e shikonte vajzën si të keqen e shoqërisë, Jezusi pa tek ato potencialin dhe dinjitetin me të cilën Ai (Zoti) i kishte krijuar.
Prandaj, duke filluar nga ky 11 Tetor, le të shikojmë me sytë e Jezusit dhe jo me sytë e mentalitetit. Le të shikojmë potencialin dhe dinjitetin dhe jo të miratojmë inferioritetin, shtypjen dhe keqtrajtimin që i bën shoqëria vajzës Shqiptare .
Në vend që ta heqim nga shkolla nga frika se mos lidhet dhe na çnderon, le ta mësojm si të zgjedh të mirën të themeluar në vlera. Le të flasim dhe të qëndrojmë për ato vajza, që nuk kanë një zë për veten e tyre.
[1] https://www.obama.org/girlsopportunityalliance/take-action/get-the-facts/
[2] https://www.teenvogue.com/story/things-to-know-about-girls-on-international-day-of-the-girl
Tag:Rëndësia e Jetës, Të Rinjtë, Vajzat