A lutem unë për të rinjtë?
A lutem unë për të rinjtë?
Ne si JetaPlus duam të shikojmë të rinjtë ti japin jetën Krishtit, të transformohen nga fuqia e Ungjillit dhe të kontribuojnë në përparimin e ungjillit në trojet Shqip-folëse. Ne si drejtues të shërbesave të të rinjëve dhe si mentor të tyre kemi një rol shumë të rëndësishëm për t’i frymëzuar këta të rinjë të ndezin zjarrin e fuqisë së ungjillit në jetën e tyre.
Duke marrë shembull nga Pali
Pali besonte shumë në fuqinë jetë-ndryshuese të ungjillit dhe në fuqinë e lutjes për të frymëzuar dhe nxitur besimtarët të bëheshin bashkë-shërbëtorë me të, në përparimin e ungjillit. Po ti çfarë je duke bërë?
Është shumë e lehtë të ngecim në monotoninë e të organizuarit të takimeve javore dhe të bërit të një programi sa më interesant. Por çuditërisht është shumë e vështirë (sidomos për drejtuesit e të rinjëve) të disiplinojmë veten për t’u lutur vazhdimisht, me këmbëngulje për të rinjtë tanë.
“E falënderoj Perëndinë tim sa herë ju kujtoj. Në çdo lutje që bëj gjithmonë lutem me gëzim për ju të gjithë, për pjesëmarrjen tuaj në dobi të ungjillit nga dita e parë deri tani. Jam i sigurt se ai që nisi një vepër të mirë mes jush, do ta përfundojë deri në ditën kur do të vijë Krishti Jezu.” Filipianëve 1:3-6
Eksperiencën e Palit ta bëjmë tonën
A lutemi ne për të rinjtë tanë, një nga zakonet e Palit, që pasqyrohet më shpesh në letrat e tij, është lutja. Kujtdo që ai i shkruan, e kujton se sa shumë lutet për të (qoft individ, apo kishë). Në vargjet 4 dhe 5 shikojmë diçka shumë interesante. Ai lutet për pjesëmarrjen e tyre në dobi të ungjillit. Sa e bukur dhe e rëndësishme është kjo.
Ne kur lutemi për njerëzit, lutemi për shëndetin e tyre, për financat e tyre, për familjarët e tyre, lutemi për shpëtimin e tyre – por nuk kam dëgjuar asnjëherë (në eksperiencën time, sepse mund të ketë njerëz që e bëjnë) që dikush të lutet për dikë specifikisht për pjesmarrjen e atij personi në avancimin e ungjillit. Ndoshta e marrim si të mirëqenë?
Në Shkrim shikojmë se qëllimi përfundimtar i shpëtimit, nuk është vetëm të shpëtoj personin që e mer këtë dhurat nga Perëndia, por edhe që ky person të bëhet ambasador i Krishtit për të përparuar ungjillin dhe shpëtimin e Perëndisë tek njerëz të tjerë.
Prandaj, nëse duam të frymëzojmë të rinjtë tanë të na bashkohen ne dhe Krishtit në avancimin e ungjillit, le të disiplinojmë veten dhe të lutemi për ta. Të lutemi që ata të marin pjesë në dobi të ungjillit. Lutja ka fuqi – sepse ai që nisi një vepër të mirë mes nesh, do ta përfundojë deri në ditën kur të vijë Krishti.